Osmani: Drejtësia për fëmijët, gratë dhe viktimat e luftës është borxhi ynë më i madh
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të mërkurën me drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.
Në një postim në Facebook, Osmani e ka cilësuar këtë institut si “zemrën e kujtesës kombëtare” dhe “vendin ku ruhet e vërteta për periudhën më të rëndë të historisë së Kosovës”.
Sipas saj, institucioni mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.
“Kujtesa e një kombi që kërkon drejtësi. Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është zemra e kujtesës sonë kombëtare — vendi ku ruhet e vërteta për periudhën më të rëndë të historisë sonë. Me mijëra dëshmi të mbledhura e dokumentuara, ky institucion mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Ajo shtoi se gjatë takimit me drejtorin Hetemi dhe ekipin e tij, ka theksuar rëndësinë e drejtësisë për viktimat e luftës.
“Drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi ynë më i madh si shtet dhe si shoqëri. Çdo jetë e humbur është kujtesë e dhimbshme se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë – nuk ka paqe të vërtetë”, theksoi presidentja.
Osmani nënvizoi gjithashtu se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës nuk është vetëm arkiv, por “ndërgjegjja e kombit”.
“Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. Prandaj, e vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë. Ftoj çdo qytetar, studiues dhe çdo të ri të vendit ta mbrojë dhe ta ruajë këtë kujtesë. Sepse historia nuk harrohet – ajo tregohet dhe mbrohet me dinjitet e me të vërtetën si themel”, përfundoi ajo.

Leave a Reply