Tashmë është konfirmuar zyrtarisht se edicioni i katërt i Big Brother VIP Kosova do të nisë të hënën.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se një nga banoret që pritet të marrë më shumë vëmendje këtë sezon do të jetë Ikballe Huduti – predikuese e njohur e fesë islame dhe një figurë shpesh e përfolur për deklaratat e saj nëpër studio televizive shqiptare.
Sipas këtyre burimeve, produksioni ka përgatitur madje edhe një dhomë të veçantë gjumi për Ikballen, për shkak të mbulesës dhe rregullave fetare që nuk i mundësojnë të ndajë hapësirat e fjetjes me pjesëmarrësit e tjerë. Vendosja e kushteve të posaçme brenda shtëpisë konsiderohet një hap i pazakontë për versionin lokal të formatit, duke sinjalizuar një qasje më gjithëpërfshirëse në këtë edicion.
Edhe pse kjo përbën një situatë të re për publikun shqiptar, nuk është hera e parë që një grua me mbulesë fetare merr pjesë në një edicion ndërkombëtar të Big Brother. Në Filipine, Ailah Antopina është regjistruar si gruaja e parë myslimane me mbulesë që ka qenë pjesë e Pinoy Big Brother.
Një tjetër rast është shënuar në Big Brother Israel, ku një konkurrente palestineze myslimane e mbuluar ka qenë pjesë e shtëpisë. Po ashtu, në Big Brother: The Boss, banorja Ala’a Omar nga Omani mori pjesë me kushte të përshtatura posaçërisht për kërkesat e saj fetare.
Megjithatë, në hapësirën shqiptare ky mbetet rasti i parë që një grua me mbulesë bëhet pjesë e Big Brother, qoftë në Shqipëri apo Kosovë. Pjesëmarrja e Ikballe Hudutit pritet të hapë diskutime të gjera – nga çështjet e përfaqësimit fetar në media, deri tek kurioziteti për mënyrën se si ajo do të përshtatet me formatin e një reality show që njihet për dinamika intensive sociale.

Leave a Reply