Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar mundësinë e thirrjes së seancës së Kuvendit për caktimin e mandatarit të ri të Qeverisë, ku Glauk Konjufca është propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një deklarim për media, ajo theksoi se seanca mund të thirret edhe si e jashtëzakonshme, nëse sigurohen 40 nënshkrime të deputetëve.
“Siç dihet, seanca mund të kërkohet si e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime, dhe jam e bindur se do të thirret me kohë për të respektuar afatet kushtetuese. Unë nuk mund të paragjykoj rezultatin e votimit; e rëndësishme është që seanca të mbahet brenda afatit. Më pas gjithçka i takon deputetëve dhe partive politike. Nuk kam ndërhyrë në këto procese as më herët e as tani. Për sa i përket thirrjes së seancës, unë kam qenë optimiste; duket se të tjerët nuk kanë ndarë të njëjtin optimizëm. Kisha shpresuar se seanca do të thirrej më herët, bazuar në bisedat tona. Sot është e hënë dhe e mërkura është afati i fundit. Por, siç e thashë, vendimi u takon deputetëve. Përderisa seanca thirret brenda afatit kushtetues, nuk ka shkelje.”
Kreu i shtetit rikujtoi se ka pasur një vonesë 9-mujore në proces, të cilën ajo nuk e ka shkaktuar.
“Kushtetuta është e qartë: nëse dështon mandatar i parë, kalohet te i dyti. Unë kam respektuar plotësisht Kushtetutën. Ka pasur një vonesë 9-mujore, të cilën nuk e kam kërkuar, përkrahur apo shkaktuar unë. Për 9 muaj kemi pritur partitë politike. Kam shpresuar se do të tregonin durim edhe për këto dy javë. Në asnjë moment nuk kam synuar të shkaktoj vonesa — ato kanë ardhur nga të tjerët. Tani procesi po i afrohet fundit dhe do të shihet se çfarë do të ndodhë,” u shpreh Osmani.

Leave a Reply