Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në takimin me kongresistë amerikanë ka diskutuar për një sërë çështjesh, me theks të veçantë ato që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.
Ajo ka theksuar se Kosova mbetet shteti më proamerikan dhe se në vend kurrë nuk ka ekzistuar një qeveri me qasje antiamerikane.
“Sot pata nderin të mirëpres dy kongresistë amerikanë në Kosovë. Të dy kanë qenë përkrahës të Kosovës dhe të rajonit për një kohë të gjatë dhe si kontribuues të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin e kanë realizuar këtë vizitë. Diskutuam për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe SHBA-së, zhvillimet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përpjekjet tona për t’u afruar me NATO-n, sfidat e sigurisë me të cilat po përballemi dhe mënyrat e koordinimit me SHBA-në, përfshirë edhe integrimin sa më të suksesshëm të komunitetit serb në Kosovë”, tha Osmani.
Ajo iu përgjigj edhe deklaratës së diplomatit Philip Reeker, i cili kishte bërë thirrje për një qeveri që bashkëpunon ngushtë me SHBA-në, duke theksuar se Kosova nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë qeveri antiamerikane.
“Secili ka qëndrimet e veta, përfshirë edhe z. Reeker, me të cilin kam pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Në Kosovë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë qeveri antiamerikane. Kosova ka pasur dhe do të ketë gjithmonë qeverinë më proamerikane, sepse kemi popullin më proamerikan dhe çdo qeveri që del nga ky popull e reflekton këtë orientim. Sigurisht, secila qeveri ka metodat e veta për të punuar me partnerët. Sa i përket punës sime si presidente, ju siguroj se kam pasur dhe do të vazhdoj të kem bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse i konsideroj partnerë ekzistencialë për zhvillimin e Kosovës, mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe përballimin e sfidave të sigurisë”, u shpreh Osmani.

Leave a Reply