Ndarja nga jeta e Shpat Kasapit: flet vëllai i tij. Ai tregon se Shpati ndodhej në Itali me familjen për një kontroll mjekësor të të birit dhe se ata dyshojnë se…

Ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit 40-vjeçar Shpat Kasapi tronditi familjen, miqtë dhe gjithë publikun.

Artisti ndodhej në Itali së bashku me bashkëshorten dhe djalin 4-vjeçar, ku kishin shkuar për një kontroll mjekësor të të voglit. Gjatë orëve të vona të së martës, Kasapi është ndier papritur keq dhe ka humbur jetën.

Në një intervistë, vëllai i tij, Albini, tha se ndihma e parë mjekësore iu ofrua menjëherë në banesë, por fatkeqësisht ai nuk arriti të mbijetonte. Sipas tij, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një arrest kardiak.

I rënduar dhe tejet i tronditur nga lajmi, Albini rrëfeu se kishin shpresuar që informacioni i ardhur nga Italia të mos ishte i vërtetë, por më pas vdekja e këngëtarit u konfirmua.

I pyetur nëse Shpati kishte pasur më herët probleme shëndetësore, ai u shpreh se kishte disa shqetësime të lehta me zemrën, por asgjë serioze.

Aktualisht trupi i artistit ndodhet në Itali dhe pritet që së shpejti të përfundohen procedurat për sjelljen e tij pranë familjes.

Shpat Kasapi lindi më 1 maj 1985 në Tetovë, Maqedoninë e Veriut. Ai u bë i njohur dhe i dashur për publikun me këngët e tij pop-folk. Karriera e tij nisi herët, fillimisht në festivale për fëmijë, ku në moshën 13-vjeçare fitoi çmimin e parë në “Bletëzat ’98” në Tetovë.

Hapat e parë drejt muzikës për të rritur i dha me sukseset në festivale si “Këngët e Stinës 2002” në Tiranë, “Nota Fest 2003” dhe “Albafest 2003” në Shkup, ku mori çmime të publikut. Më pas u vlerësua edhe me çmimin “Interpretuesi më i mirë” në edicionin e parë të “Top Fest”.

Gjatë karrierës ka publikuar disa albume të suksesshme dhe shumë të dëgjuara, mes tyre “Tash po kthehesh”, “Medikament”, “Axhamiu” (2003), “Do të vijë një ditë” (2004), “Pa ty s’jetoj” (2005), “Kush të ndau prej meje” (2006), “S’e pranon” (2007) dhe “Medikament” (2010).

Shpat Kasapi do të kujtohet me nostalgji nga familjarët, miqtë, kolegët dhe publiku shqiptar.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *