Kur flitet për avionë të shpejtë, shumica menjëherë kujtojnë Concorde-n, simbol i luksit dhe shpejtësisë në transportin civil. Por avioni më i shpejtë që ka fluturuar ndonjëherë nuk transportonte pasagjerë, por sekrete ushtarake. Bëhet fjalë për SR-71 Blackbird, një mrekulli teknologjike e ndërtuar nga kompania amerikane Lockheed në vitin 1964. Me pamjen e tij futuriste, ngjyrën e zezë dhe linjat aerodinamike, ai u bë ikonë e Forcës Ajrore të SHBA gjatë Luftës së Ftohtë.
I ndërtuar me pjesë titani të veçanta, të importuara fshehurazi nga Bashkimi Sovjetik, SR-71 ishte projektuar për të përballuar temperaturat ekstreme që krijoheshin në shpejtësi Mach 3, trefishi i shpejtësisë së zërit. Më 28 korrik 1976, ai arriti 3.529 km/orë dhe një lartësi rekord prej 25.929 metrash. Dy vjet më parë, kishte përshkuar itinerarin Nju Jork–Londër për vetëm 1 orë e 54 minuta, dukshëm më shpejt se Concorde, sipas A2 CNN.
Shpejtësia e jashtëzakonshme e bënte praktisht të paprekshëm: për t’i shpëtuar raketave, mjaftonte të shtonte gazin. Nga 32 njësi të ndërtuara, 19 humbën nga incidente teknike, por asnjë nuk u rrëzua në luftime. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, NASA e përdori për kërkime shkencore, studime atmosferike dhe testime materiali në kushte ekstreme. Sot, edhe pse ndodhet në muze, SR-71 Blackbird mbetet një simbol i epokës kur teknologjia fluturonte më shpejt se imagjinata.

Leave a Reply