Banka Popullore e Kinës (PBoC), banka qendrore e vendit, ka ripërsëritur qëndrimin e saj se aktivitetet që lidhen me asetet dixhitale mbeten të paligjshme në Kinë, duke ashpërsuar edhe më tej ndalimin e kriptovalutave. Ky veprim shkaktoi rënie të ndjeshme në tregun e kriptovalutave, me Bitcoin që humbi rreth 5% në 24 orët e fundit.
PBoC theksoi rreziqet e lidhura me asetet kripto, veçanërisht me stablecoin-et, duke deklaruar se monedhat virtuale nuk mund të përdoren si para në tregun vendas. Banka ka paralajmëruar se do të vazhdojë mbikëqyrjen e rreptë ndaj kriptoaktivëve, si pjesë e luftës kundër aktiviteteve të paligjshme, shkruan Anadolu.
Si pasojë, kapitalizimi total i tregut të kriptovalutave ra në 2.93 trilion dollarë, ndërsa vlera e Bitcoin zbriti nën 92,000 dollarë pas vendimit të Kinës.
Bitcoin e nisi vitin me rreth 93,425 dollarë, por ra deri në afërsisht 74,500 dollarë në prill, pas pasigurive të krijuara nga tarifat reciproke të shpallura nga Presidenti amerikan Donald Trump. Më vonë, çmimi u rikuperua teksa tensionet tregtare u zbutën dhe Rezerva Federale e SHBA-së hyri në ciklin e uljes së normave të interesit, duke arritur një rekord prej 126,199 dollarësh në tetor. Në atë kohë, fitimi vjetor i Bitcoin ishte rritur në rreth 35%.

Leave a Reply