Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka kushtuar një shkrim të veçantë mërgimtarëve kosovarë.
Në një postim në Facebook, ai thekson se Kosova ka nevojë për diasporën, ashtu siç edhe diaspora e ka mbajtur gjithmonë Kosovën gjallë në zemrat e saj, shkruan Klankosova.tv.
Haradinaj vlerëson se zëri, besimi dhe angazhimi i mërgimtarëve mbeten të domosdoshëm për vendin.
Shkrimi i plotë i Ramush Haradinajt:
Rrugëtimi i mërgimtarëve
“Atdheu ju mban me vete, kudo që shkoni.
E kam ndjerë gjithmonë peshën e mallit tuaj dhe forcën e dashurisë që keni për Kosovën.
Prej një shekulli, brez pas brezi, keni nisur rrugëtimin tuaj, duke lënë një pjesë të zemrës në pragun e shtëpisë. Mërgimi nuk është vetëm histori largimi, por histori sakrifice – për jetën, për lirinë.
Më kujtohen mëngjeset e hershme dhe mbrëmjet e vona në dhomat e ngushta të podrumeve dhe banesave anembanë Evropës, ku malli për vendlindjen ndizte çdo bisedë të rrallë telefonike me familjen.
Mirëqenia e familjes shpesh nuk mjaftonte, ndaj shumë prej jush u kthyet në rrugën e lirisë, duke iu bashkuar maleve për ta sjellë Kosovën që gëzojmë sot. Ky ishte rrugëtimi i atyre që luftuan, i atyre që u flijuan – dëshmorët e heronjtë që Kosova dhe shqiptaria i nderojnë gjithmonë.
Rrugëtimi juaj fillon te gjyshi, vazhdon te babai, te i biri e sot te nipi që po rritet me dashurinë për Kosovën.
E gjithë jeta e mërgimtarit është rrugëtim. E gjithë historia e tij është rrugëtim. Dhe secili prej jush mban në zemër një pjesë të atdheut, kudo që jeton.
Faleminderit gjyshërve dhe baballarëve, faleminderit të gjitha brezave që nuk e harruan vendlindjen, gjuhën dhe traditat.
Ju e doni Kosovën më shumë se sa mund ta shprehin fjalët.
Dhe unë, si dikush që dikur kam qenë një prej jush, e di se çdo hap që bëjmë përpara është edhe falë jush.
Prandaj, zëri juaj, besimi juaj dhe angazhimi juaj na duhen gjithmonë.
Kosova ka nevojë për ju, ashtu si edhe ju e keni mbajtur Kosovën gjallë në zemrat tuaja.”

Leave a Reply