Nga gjiri i popullit shqiptar dolën shumë atdhetarë të kohës, të cilët nuk kursyen as mundin e as jetën për kauzën tonë të drejtë kombëtare.
Një personalitet i nderuar që meriton të përmendet është Hazir Sylë Kelmendi, me prejardhje nga Ruhoti i Pejës.
Së bashku me shumë atdhetarë të tjerë, ai e përjetoi dhe e mbijetoi masakrën e Tivarit.
Hazir Kelmendi lindi në vitin 1925 në një familje malësorësh në Haxhajt të Rugovës dhe më vonë u vendos në Ruhot së bashku me familjen e tij Kelmendi. Qysh në moshë të re, në vitin 1945, u mobilizua pa dëshirën e tij në radhët partizane për të marshuar nga Kosova, nëpër Shqipëri, e deri në Tivar, aty ku ndodhi një prej masakrave më të mëdha dhe më të dhimbshme ndaj shqiptarëve të pafajshëm.
Haziri ishte pjesëmarrës dhe dëshmitar i gjallë i kësaj ngjarjeje tragjike, bashkë me disa bashkëvendës të tij, të cilët shpëtuan vetëm për pak nga vdekja.
Ai tregonte momente jashtëzakonisht të trishtuara nga ajo që kishte ndodhur, ku sipas dëshmive historike, u vranë mijëra shqiptarë.
Vuajtjet për Hazirin nuk përfunduan me kaq. Gjatë aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, të drejtuar nga aparati represiv i kohës, u përndoqën dhe u burgosën mijëra shqiptarë të pafajshëm. Në këtë periudhë ai vet u rrah për pesë ditë rresht nga forcat e regjimit.
Megjithatë, Haziri qëndroi gjithnjë me dinjitet dhe forcë.
Ai e mbijetoi edhe këtë torturë çnjerëzore dhe vazhdoi jetën duke i rritur dhe edukuar fëmijët e tij me vlera njerëzore dhe atdhetare. Njihej si njeri i urtë dhe i dashur për të gjithë.
Hazir Kelmendi u nda nga jeta më 27 nëntor, pas një sëmundjeje të gjatë, nën kujdesin e madh të djemëve të tij, në Ruhot dhe në Esen të Gjermanisë.
Jeta dhe vepra e tij janë krenari për familjen atdhetare Kelmendi nga Ruhoti dhe një histori e çmuar e kësaj treve.
I qoftë i lehtë dheu i Republikës së Kosovës, të cilën e deshi aq shumë.

Leave a Reply