Haradinaj me mesazh të fuqishëm: Kontributi i luftëtarëve të UÇK-së nuk zbehet nga propaganda.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka publikuar sot një reagim të fuqishëm në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK-së, duke akuzuar qeverinë për harresë të qëllimshme dhe përpjekje për t’ua zbehur meritat në shërbim të vendit.

Në mesazhin e tij, Haradinaj shprehet se çdo ditë që kalon, qeveria po i largon luftëtarët nga kujtesa publike, ndërsa propaganda po synon t’i shtyjë drejt harresës kolektive.

Ai kujton se fillimisht ata u injoruan, më pas u ofenduan – madje edhe për veshjen e tyre – sa herë që merrnin pjesë në përvjetore apo tubime përkujtimore.

Haradinaj akuzon pushtetin për orkestrimin e dokumenteve dhe proceseve gjyqësore që, sipas tij, kanë për qëllim dobësimin e figurës së luftëtarit.

Megjithatë, ai thekson se, pavarësisht çdo goditjeje politike, struktura shpirtërore dhe mendore e luftëtarit mbetet e paprekshme.

“Luftëtarët jetojnë gjithmonë me qëllime të qarta. Ata nuk kanë frikë nga stuhitë, sepse stuhitë e kanë frikë vendosmërinë e tyre”, shkruan ai, duke i cilësuar plagët e tyre si medalje dhe heshtjen si urdhër.

Haradinaj i përshkruan luftëtarët si njerëz që kanë parë nga afër vijën e hollë mes jetës dhe vdekjes, të cilët sot po shuhen natyrshëm, krenarë dhe stoikë, me një peng të vetëm: që nuk patën fatin e dëshmorëve.

Ai thekson se të mbeturit gjallë do të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar, më të fortë se çdo propagandë që synon t’i zbehë.

“Lum ju për kontributin, sakrificën dhe shembullin. Mjerë ata që do të humbin gjithmonë me turp”, përfundon Haradinaj, duke dhënë nderime për atdheun.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *