Testimi i raketës bërthamore ruse Burevestnik po interpretohet nga NATO si një kërcënim i rëndë strategjik, për shkak të rrezes thuajse të pakufizuar dhe aftësive të larta manovruese. Sipas një dokumenti të klasifikuar të Aleancës, të cilin e ka siguruar gazeta gjermane Die Welt, fuqia e kësaj arme do të thellonte edhe më shumë sfidat aktuale të sigurisë.
Raketa, e projektuar për të përshkuar distanca shumë të gjata, raportohet se mund të arrijë shpejtësi deri në 900 km/h. Ajo mund të lëshohet nga platforma të lëvizshme dhe, falë teknologjive të avancuara të navigimit, është e aftë të shmangë sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s.
Në bazë të vlerësimit të përfshirë në dokumentin e NATO-s, reaktori bërthamor i jep raketës një rreze teorikisht të pakufizuar veprimi, duke e bërë të aftë të qëndrojë për periudha të gjata në fluturim, të ndryshojë trajektore dhe të godasë objektiva nga çdo drejtim.
Ky zbulim rikthen në vëmendje boshllëqet e Aleancës në neutralizimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë, sidomos atyre me kapacitet bërthamor. Megjithatë, një pjesë e ekspertëve mbeten skeptikë, duke vënë në dyshim nëse reaktori bërthamor i Burevestnik do të funksionojë ashtu siç pretendohet.

Leave a Reply