Presidentja Osmani dhe ministri Eren diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë

Presidentja Osmani vlerëson kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) në zhvillimin e vendit gjatë më shumë se dy dekadave.
Ajo theksoi se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe autizëm në Prishtinë.

Në këtë kuadër, Presidentja Osmani e cilësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës, e cila ka qëndruar pranë popullit tonë në çdo fazë – nga periudha e pasluftës e deri më sot.
Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme, e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta.

Presidentja e përgëzoi Abdullah Erenin për emërimin e tij në krye të TİKA-s, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe shprehur dëshirën për vazhdim të frytshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Gjatë takimit, Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, në kohën kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.

Në përmbyllje, Presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe personat që kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *